Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken javën e ardhshme do të vizitojë Izraelin për të diskutuar mbi sulmin e mundshëm të ushtrisë izraelite në Rafah dhe marrëveshjen për shkëmbimin e pengjeve mes Hamasit dhe Tel Avivit.
Në lajmin e televizionit shtetëror izraelit KAN thuhet se Blinken do të vizitojë Izraelin më 30 prill.
Sekretari amerikan do të diskutojë me zyrtarët izraelitë për sulmin e mundshëm të Izraelit në Rafah dhe marrëveshjen për shkëmbimin e pengjeve mes Hamasit dhe Tel Avivit.
Kjo do të jetë vizita e 7-të që Blinken do të zhvillojë në rajon që nga 7 tetori 2023 e deri më tani.
- Sulmi i mundshëm i Izraelit në Rafah
Qyteti Rafah i vendosur në jug të Gazës në kufirin me Egjiptin kishte rreth 280 mijë banorë para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023, të paktën 1.9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2.3 milionë.
Shumica e palestinezëve që u larguan nga sulmet izraelite, u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli ka pretenduar më parë se "ishte i sigurt". Bashkë me të zhvendosurit nga rajonet veriore, popullsia e qytetit Rafah është rritur më shumë se 4 herë, duke arritur në gati 1.5 milion.
Për shkak të mungesës së banesave të mjaftueshme, një pjesë e madhe e palestinezëve që janë strehuar në Rafah po luftojnë për mbijetesë në kampet e përbëra nga tenda të improvizuara. Ushtria izraelite shpeshherë shënjestron qytetin Rafah me sulme ajrore. Ka shqetësime se civilëve nuk do t'u mbetet më vend për t'u strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor në Rafah.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare ka përsëritur shumë herë se ka miratuar planin për sulm në Rafah, në një deklaratë më 8 prill tha se është caktuar data për sulmin.
Televizioni shtetëror izraelit KAN njoftoi se ushtria izraelite do të fillojë "shumë shpejt" sulmin tokësor në Rafah./aa