Një element qëndror i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor u përmend krejt në fund të seancës dëgjimore të Parlamentit Evropian (PE) të martën, ku kandidatja për shefe të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, u është përgjigjur për tri orë pyetjeve të deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme.

Pasardhësja e Josep Borrellit në pozitën e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri nuk ka dhënë shenja se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë prioritet i mandatit të ardhshëm pesëvjeçar, duke nxitur reagimin e vëzhguesve të politikës evropiane ndaj rajonit të Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

“Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm dhe shumë afër fqinjësisë sonë. Ne kemi dy shtigje që të punojmë atje. Një është zgjerimi – duhet të kemi histori suksesi – dhe shtegu i dytë është dialogu Beograd-Prishtinë ku të gjithë paraardhësit e mi kanë investuar shumë kohë për të sjellë stabilitet në rajon”, ka deklaruar Kallas.

Adnan Çerimagiç, analist i lartë për Ballkanin Perëndimor nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI), ka konsideruar se arsyeja që Kallasi nuk e adresoi në mënyrë të veçantë dialogun Prishtinë-Beograd, por e trajtoi vetëm në aspektin e përgjithshëm të nevojës së rezultateve konkrete në procesin e zgjerimit, mund të jetë një mesazh politik.

“Kam dëgjuar se kjo është menduar sikur një mesazh politik, duke nënkuptuar se për komisionin e ardhshëm evropian, ky rajon do të bjerë nën ombrellën e zgjerimit”, ka theksuar Çerimagiç duke komentuar rreth vërejtjeve të vëzhguesve që dialogu Kosovë-Serbi nuk u përmend nga shefja e diplomacisë evropiane në rezymenë e saj para PE-së.

“Paraqitja e Kallasit ka qenë zhgënjyese, ajo përmendi vetëm kalimthi dialogun dhe nuk paraqiti ndonjë ide të re”, ka nënvizuar nga ana tjetër Toby Vogel nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit (DPC) duke folur për seancën dëgjimore të Kallasit.

Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, është zgjedhur për të udhëhequr politikën e jashtme në një mandat pesëvjeçar. Një prej detyrave të kryediplomates evropiane do të jetë edhe ndërmjetësimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, pavarësisht marrëveshjeve, ka ngecur vitin e fundit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo akoma nuk është zbatuar.

Një një tekst autorial të botuar në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm (EEAS) në qershor, në prag të përfundimit të mandatit, kryediplomati aktual i BE-së ka nënvizuar se zotimet që liderët në Prishtinë dhe Beograd i kanë marrë përsipër në kuadër të dialogut, nuk do të ndryshojnë, pavarësisht tranzicionit politik në Bruksel.

“Ne kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit, por procesi mund të përparojë vetëm në bazë të gatishmërisë së të dy palëve. BE-ja nuk mund të arrijë më shumë normalizim se sa dëshirojnë Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye, por pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë”, shkroi Borrelli para pesë muajsh.

Ndryshe, ardhja e Kallasit në krye të diplomacisë evropiane ka bërë që edhe krerët institucionalë në Kosovë të ndjejnë njëfarë lehtësimi, posaçërisht sa i përket politikës aktuale të BE-së ndaj vendit të vogël ballkanik – të cilën e vlerësojnë të pabalancuar – me shpresën se ajo do të ndryshojë, veçanërisht në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi./Albanianpost