Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku zhvilloi një vizitë në Laboratorin e Rritjes të Universitetit të Harvardit.

Mazniku e vlerësoi vizitën në Universitetin e Harvardit si shumë frytdhënëse, ku bashkë me profesorin Rikardo Hausman do të bashkëpunojnë për të shfrytëzuar dijet dhe hapësirën kërkimore të këtij universiteti për t’i ardhur në ndihmë bashkive tona në zhvillimin e planeve të tyre ekonomike.

Ai theksoi se ashtu siç mësuan gjatë dialogut vendor me të gjitha bashkitë dhe takimit në Shkodër mes qeverisë dhe kryetarëve të bashkive, pushteti lokal, përveç detyrave funksionale të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore apo arsimore dhe pastrimit, duhet të rrisë rolin e vet edhe në zhvillimin ekonomik dhe për këtë na duhet një analizë e potencialit që ka çdo bashki.

Me Laboratorin e Rritjes, institucionin që drejton profesor Hausman në Universitetin e Harvardit, Mazniku shprehu besimin se do të bëhet një analizë e gjendjes dhe potencialeve, që do të përdoret për zhvillimin strategjik të territorit./ata