Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve për asfaltimin e rrugës në fshatin Gurrë të Vogël, nga ku komentoi edhe protestën e djeshme të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë.
Ai u shpreh se është më e vështirë të punosh në shërbim të komunitetit, se sa të hedhësh një shishe me molotov, pasi në fund banorëve do t’u ngelen rruga, shkolla dhe kopshti.
“Për vitin tjetër sfida duhet të jetë që njerëzit të hapin sytë dhe të shohin kush punon dhe kush hedh bomba. Duhet me u thënë kush i bën punët, shkollat dhe rrugët. Për molotovët, jepja shishen edhe budallait më të madh dhe ai e hedh. Kurse për të bërë ndonjë punë, për të kapur lopatë, për të kapur kazmën, për të kapur rulin, ekskavatorin, është një çikë më e vështirë. Në fund, mbetet rruga, ato muhabetet me molotov do të harrohen. Rruga do mbetet, shkolla do mbetet, kopshti do mbetet”, tha Veliaj.
Ai shtoi se me asfaltimin e rrugës, rritet edhe vlerat e pronës në këtë zonë, duke marrë shembullin e fshatrave Qeha dhe Tagan. Ai u shpreh se parimi i bashkisë së Tiranës eshte qenë një qytet që ecën me të njëjtën shpejtësi në qendër, ashtu edhe në periferi.
“E pashë edhe kur bëmë rrugën në Qeha: erdhën gjithë investitorët e Tiranës, duan me qenë afër rrugës, me ajër të pastër dhe pamje të jashtëzakonshme. Në këtë sens, edhe këtu do të vijnë investitorët, kjo është e pashmangshme. Ndodhi në Qeha, ndodhi në Tagan. Pra ku vjen rruga, vjen edhe zhvillimi. Vetëm një porosi kam, mos i shisni lirë tokat, se kemi bërë gjithë këtë investim. Parimi ynë ka qenë mos të kemi një Tiranë me dy shpejtësi, një me marsh të pestë, një me marsh të parë. Ne duam të kemi një Tiranë që ecën e gjitha me një shpejtësi. Çfarë taksash marrim te kullat atje poshtë, të kemi mundësi t’i investojmë këtu. Çfarë vilet nga biznesi, industria dhe kompanitë celulare, të shpërndahet edhe në katund. Fakti që sot në Petrelë kemi hedhur më shumë asfalt se në 100 vite të Tiranës kryeqytet, më bën të ndihem krenar dhe ju falenderoj të gjithëve nga zemra për mbështetjen dhe për gjithë bashkëpunimin”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi bashkëpunimin e banorëve të zonës për të përfunduar në kohë asfaltimin e rrugës, për të mirën e përbashkët të komunitetit. “Ka njerëz, siç ka ndodhur këtu në Gurrë të Vogël, që ndoshta janë më të varfër se ata në Tiranë, por e kanë zemrën më të pasur dhe thonë: “Hallall një metër, vetëm të mos bëjmë sherr, vetëm të bëhet rruga, vetëm kalamajt mos t’u prekë këmba baltë, vetëm mos të na bjerë kodra nga erozioni”. Ky bashkëpunim që kam parë këtu në Gurrë të Vogël ka qenë i jashtëzakonshëm. Ju falenderoj me gjithë zemër, se na e keni bërë shumë kollaj këtë punë. Ta gëzoni dhe paçi vetëm gëzime dhe të mira”, tha Veliaj.
Projekti i përfunduar nga bashkia e Tiranës, përveç asfaltimit, ka bërë të mundur edhe rehabilitimin e akseve rrugore dhe rikualifikimin urban të hapësirës së sheshit qendror të fshatit, duke realizuar një hapësirë të përshtatshme për banorët dhe automjetet./ata