Banka e Shqipërisë ka shënuar arritje pozitive në sajë të masave të ndërmarra për përfshirjen financiare dhe nxitjen e pagesave elektronike.

Në një njoftim për shtyp BSH-ja, bën të ditur se, në tremujorin e parë të vitit 2024 ka treguar një rritje të përshpejtuar me 36% (rreth 18 mijë transaksione më shumë) të transaksioneve të procesuara në AIPS EURO krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Ky zhvillim dikton dobishmërinë e lartë të këtij sistemi në kuadër të efikasitetit dhe kursimit në ekonominë shqiptare, një kursim që përllogaritet përafërsisht 11 milionë euro vetëm për këtë tremujor.

Zhvillimet pozitive të sistemit AIPS EURO por dhe rritja e konsiderueshme e pagesave elektronike gjatë vitit të fundit dhe në muajt e parë të vitit 2024, reflektojnë materializimin gjithnjë e më të madh të masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, i cili po dikton edhe një rritje të konsiderueshme të qasjes në financë.

Kështu, në vitin 2023, rezulton një rritje e konsiderueshme e popullsisë së rritur që zotëron një llogari bankare në masën 78% nga rreth 68% që kjo shifër ishte në vitin 2021, ndërkohë rritje të konsiderueshme kanë reflektuar edhe llogaritë e parasë elektronike në vitin 2023, duke e çuar përfshirjen financiare të popullsisë në nivelin 85%.

Bazuar në këto zhvillime, vlerësohet se implementimi i ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” do të kontribuojë në përfshirjen financiare të popullsisë në nivele të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian./ata