Tremujori i dytë i vitit është karakterizuar nga rritje e lehtë e normave të interesit për kreditë për biznese dhe rënie e atyre për kreditë konsumatore e hipotekare të  individëve. Gjithsesi, nivelet aktuale të interesave qëndrojnë pranë mesatareve të  vërejtura në dy vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesi mesatar për kredinë e re në lek dhënë biznesit rezultoi 6.8% në tremujorin e dytë, nga 6.6% që ishte në tremujorin e parë. Kjo tendencë ka qenë e pranishme në të gjitha madhësitë e kredive. Në një këndvështrim më afatgjatë, normat aktuale të interesit për kreditë për biznese janë pranë mesatares së regjistruar gjatë vitit 2023.

Ecuri të kundërt kanë shfaqur interesat e kredive për individë. Ato kanë shënuar rënie, pas rritjes së regjistruar në tremujorin e parë, duke iu kthyer mesatares së gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar. Interesi i kredisë hipotekare rezultoi mesatarisht 4.1% në këtë tremujor, nga 4.5% që ishte në tremujorin e pare. Ndërsa,  interesi i kredisë konsumatore zbriti në 9.5% nga mesatarisht 9.7% në tremujorin e mëparshëm. Në një vështrim më të gjatë në kohë, normat e interesit të kredive për individë janë luhatur pranë këtyre niveleve mesatare që prej vitit 2022.

Normat e interesit për kreditë në euro janë rritur më tej për individët, ndërkohë që për bizneset ato janë stabilizuar në nivele të larta. Interesi mesatar i kredisë së re në euro për bizneset rezultoi 7%, i njëjtë me tremujorin e parë. Brenda kësaj kategorie, ulja e lehtë e interesave tek kreditë e vogla dhe të mesme (deri 1 mln euro) ka kompensuar rritjet tek kreditë e mëdha. Ndërkohë, interesi i kredisë hipotekare në euro për individët ka vijuar të rritet në 5.8%, nga 5.5% që shënonte mesatarisht në tremujorin e parë të vitit.

Diferencat e interesave të kredisë midis lekut dhe euros vijojnë të jenë në terren negativ, duke diktuar orientimin e kërkesës për kredi drejt monedhës vendase, veçanërisht për kreditë hipotekare./Tema