A ishte e pashmangshme që Bethoven të bëhej gjeniu i muzikës që na e ka dhënë historia? Sipas gjeneve të tij, ndoshta jo. Një analizë e ADN-së së tij e botuar së fundmi në revistën Current Biology, zbuloi se ai ka pasur një predispozitë të dobët gjenetike për të mbajtur ritmin, një aftësi kjo thelbësore për një kompozitor.

Studimi nxit një reflektim mbi vështirësinë e përdorimit të profilit gjenetik, për të kuptuar nëse një person që ka jetuar në të kaluarën apo një foshnjë e porsalindur, është ose jo e destinuar të ketë talent në një fushë të caktuar të jetës.

Kuptimi i shkallës, në të cilën disa aftësi të jashtëzakonshme njerëzore ndikohen nga gjenetika, është një sfidë e cila do të dukej më e lehtë për t’u përballur sot, me teknikat moderne të analizës molekulare, që mundësojnë analizimin e ADN-së së njerëzve të vdekur shekuj më parë.

ADN-ja e Bethovenit e nxjerrë nga një fije floku e muzikantit të famshëm, u sekuencua gjatë një studimi të vitit 2023, që ndër të tjera kishte zbuluar një predispozitë për sëmundje të mëlçisë dhe një infeksion të hepatitit B.

Por në fillim të këtij viti një grup studiuesish nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt në Neshvil, Tenesi (SHBA), i ka përdorur këto të dhëna gjenetike për të hetuar lidhjen midis gjenetikës dhe predispozicionit të tij ndaj muzikës.

Ekipi llogariti “rezultatin poligjenik”, një indeks që grumbullon fuqinë parashikuese të shumë varianteve gjenetike mbi një karakteristikë të caktuar që po studiohet, aftësinë për të lëvizur në një rritëm muzikor, të cilën një studim i madh gjenetik e kishte lidhur së fundmi me pozicione specifike në 69 gjene të ndryshme.

Rezultati poligjenik i Bethovenit u krahasua me atë të dy popullsive të ndryshme të mijëra individëve modernë, talentet muzikore të të cilëve janë të njohura. “Është interesant fakti që Bethoven, një nga muzikantët më të famshëm në histori, kishte një rezultat të parëndësishëm poligjenik në lidhje me ndjesinë e përgjithshme mbi muzikën, krahasuar me mostrat e popullsisë nga Instituti Suedez Karolinska dhe bazën e të dhënave BioVU të Universitetit Vanderbilt”, konfirmon Tara Heneshovic, një nga autoret e studimit.

Për Bethoven, indeksi i shqyrtuar e vendos atë në përqindjen e nëntë në kampionin e popullsisë suedeze dhe në të 11-in për atë amerikan. Të jesh në përqindjen e nëntë, do të thotë që nëntë për qind popullsisë ka një rezultat poligjenik më të ulët, dhe 91 për qind më të lartë.

Kjo s’do të thotë se dhuntitë muzikore të Bethoven, nuk ishin asnjë asgjë të jashtëzakonshme, dhe as që gjenetika nuk luan rol në përcaktimin e aftësive në këtë fushë. Një studim i mëhershëm mbi binjakët, ka treguar se veshi muzikor ka një trashëgim mesatar në masën 42 për qind.

Sigurisht, ne duhet të biem dakord se çfarë nënkuptojmë me aftësi muzikore. Dhe pastaj të llogarisim edhe peshën e variablave të tjerë, si për shembull mjedisi në të cilin rriteni apo përkushtimi ndaj një aktiviteti.

“Synimi ynë, ishte ta përdornim këtë si një shembull të natyrës problematike të bërjes së parashikimeve gjenetike për një njeri që ka jetuar mbi 200 vjet më parë. Mospërputhja midis parashikimit të bazuar tek ADN dhe gjenialitetit muzikor të Bethoven, na jep një mësim shumë të mirë. Ai na tregon se testet e ADN-së nuk mund të përcaktojnë nëse një fëmijë i caktuar do të bëhet një talent në muzikë”, thotë Heneshovic. /tesheshi.com/