Mbrojtja e Al-Kuds (Jerusalemit) do të thotë mbrojtje e njerëzimit, paqe dhe respekt për fetë e ndryshme, Turqia do të vazhdojë me vendosmëri këtë luftë, tha të premten presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Erdogan foli në konferencën e 5-të të Platformës Ndërparlamentare të Al-Qudsit, duke iu referuar sulmeve izraelite në Gaza, në të cilat janë vrarë afro 35,000 civilë deri më tani, dhe duke përsëritur kritikat e ashpra ndaj Netanyahut.
“Ata që duan të shohin faraonët e epokës moderne nuk duhet të shkojnë larg, le të shikojnë ata që vranë brutalisht 35,000 palestinezë në 203 ditët e fundit. Netanyahu, ashtu si vrasësit para tij, me turp e shkroi emrin e tij në histori si ‘kasapi i Gazës'”, tha Erdogan.
Duke folur për krimet e ushtrisë izraelite në Gaza, Erdogan tha se “mentaliteti që feston ditëlindjen e fëmijës së tij duke vrarë civilë në Gaza ka humbur çdo lidhje me njerëzimin dhe vlerat më themelore njerëzore”.
“Provokimet që synojnë shenjtërinë e xhamisë Al-Aksa, kibles sonë të parë, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Izraeli okupues po shkatërron hap pas hapi identitetin e Al-Qudsit (Jerusalemit)”, tha Erdogan, duke shtuar:
“Në çdo cep të Al-Kuds (Jerusalemit) ka një gjurmë, vepër dhe vulë të paraardhësve tanë heroikë që i shërbyen këtij qyteti të shenjtë për 400 vjet. Askush nuk mund t’i fshijë ato gjurmë. Mbrojtja e Al-Qudsit (Jerusalemit) do të thotë mbrojtje e njerëzimit, paqe dhe respekt për besimet e ndryshme, Turqia do të vazhdojë me vendosmëri këtë luftë.”
Në kontekstin e asaj që po ndodh në Palestinë, presidenti turk tha se vlerat perëndimore si demokracia, liria, ligji, liria e shprehjes, opinionit dhe shtypit janë harruar për sa i përket Izraelit.
Presidenti turk kritikoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e Izraelit, duke thënë se “mbështetja e pakushtëzuar ushtarake dhe diplomatike e administratës amerikane ndaj Izraelit nuk kontribuon në zgjidhje, por e përkeqëson problemin”.
Ai kujtoi se, në kontekstin tregtar, Turqia është “i vetmi vend që ka vendosur kufizime eksporti në 54 grupe produktesh për Izraelin”.
“Turqia është e para që ka ndihmuar Gazën. Sasia totale e ndihmave humanitare që kemi dërguar me 13 avionë dhe nëntë anije që nga 7 tetori ka arritur në 50 mijë tonë”, tha Erdogan.
Ai theksoi se Platforma Ndërparlamentare Al-Quds, me aktivitetet, takimet dhe konferencat e saj, është bërë zëri i çështjes palestineze në nivel global. /tesheshi.com/