Në emisionin Money në Euronews Albania, u shqyrtua këtë të shtunë ndikimi i mundshëm në ekonominë shqiptare i një përplasjeje të mundshme ushtarake Izrael-Iran.

- Advertisement -

Ndikimi i luftës në Lindjen e Mesme mund të marrë kohë për t’u bërë i qartë dhe do të varet nga sa do të zgjasë konflikti, sa intensiv do të bëhet dhe nëse do të përhapet në pjesë të tjera të rajonit.

Ish-diplomat Idriz Konjari deklaroi për Money, se vendet e Gjirit Persik nuk janë të interesuara që çmimi i naftës të shkoj mbi 100 dollarë për fuçi.

“Është e vërtetë që vendet arabe janë motorët kryesorë të tregut, por nuk janë vetëm ato. Është Irani, Venezuela, Rusia, kështu që ka një lojë që lidhet me ulje-rritjen e prodhimit, por unë gjykoj se vendet e Gjirit nuk janë të interesuara që çmimi i naftës të shkojë më shumë se 100 dollarë/fuçia, sepse shtrenjtohen kostot e aktiviteti në këto vende”, tha ai.

 

Zef Preçi, nga qendra shqiptare për Kërkime Ekonomike, deklaroi për Money: “Për shkak të ristrukturimit të tregut nën presionin e përplasjes Rusi – Ukrainë dhe përfshirjes në këtë ristrukturim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera, mendoj që ndikimi, edhe nëse thellohet përplasja Izrael- Iran, ndikimi do të jetë më modest dhe më i menaxhueshëm. Edhe për faktin se vendet perëndimore kanë akumuluar përvojën e mjaftueshme, tashmë janë ndërtuar portet e gazit të lëngshëm në Gjermani, etj. dhe Europa Perëndimore eshtë më e përgatitur për t’ju përgjigjur një krize të re në fushën e lëndëve energjetike”.

Në kontekstin e ekonomisë shqiptare, luftërat kanë potencialin të shtojnë një grup të paparashikueshëm ndikimesh. P.sh., tani që duket sikur po ecën mirë, ekonomia është ngadalësuar nga inflacioni dhe ende po përshtatet me qasjen që normat e interesit të mbahen të larta më gjatë nga sa është folur deri më tani.

“Shqipëria s’ka nxjerrë ende mësimet e duhura as nga përplasja, as nga agresioni i përgjakshëm rus në Ukrainë, për faktin e thjeshtë që është folur, por pak ose aspak është bërë për rikthimin e vëmendjes tek përpunimi i naftës në vend. Është pozitive me investimet që janë kryer në energjinë fotovoltaike dhe energjinë e erës që është në fillimet e veta, por ende larg pritshmërive veçanërisht sa i takon një rafinerie të re të premtuar”, deklaroi Zef Preçi.

Analisti Eduart Gjokutaj tha se lufta në Lindjen e Mesme do të ndikojë ngadalë në çmimin e naftës pasi ka dhe një stepje të industrisë në këtë sektor nga rritja e makinave elektrike dhe sfidave që u kanë lindur nga zhvillimi teknologjik.

“Tregu po ndikohet ngadalë, pasi ka dhe një stepje karshi teknoligjisë. Kemi më shumë një transferim të ngadaltë, i shoqëruar me rritje prodhimi. Pra, ndikimi do jetë minimalsit, por Shqipëria mund të shfrytëzojë industrinë ushtarake, pasi ka një traditë për prodhimin e municioneve”, tha Gjokutaj./EuroNews