Fatura për parapagimin e kësteve të tatimit mbi fitimin për të gjithë profesionistët e lirë që ofrojnë shërbime profesionale, është përllogaritur në bazë të vetëdeklarimit që ata kanë bërë për aktivitetin e tyre në 2023-shin. Kështu shprehet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për Report TV, si reagim ndaj ankesave të profesionistëve që këstet e tyre janë më të larta sesa duhet.
“Rezultati i deklaratës, pra fitimi i tyre përllogaritet në bazë të të ardhurave që kanë realizuar dhe shpenzimeve që kanë kryer, dhe përllogaritja bëhet vetëm mbi pjesën e fitimit të deklaruar”, pohon Rozana Çelmeta.
Sipas Drejtores së procesit të Biznesit në Tatime Rozana Çelmeta, nuk ka asnjë gabim nga administrata në përllogaritjen e kësteve për tatimpaguesit.
“Mënyra sesi përllogariten këstet paraprake bazohen mbi vetëdeklarimin që tatimpaguesit kanë kryer për vitin 2023, përsa i takon fitimit për vitin 2023. Formula është e thjeshtë, në masën më të madhe përllogaritja kryhet në këtë mënyrë: “fitimi i vetëdeklaruar nga tatimpaguesi shumëzuar me masën 15% të tatimit, dhe e ndarë në 9 këste, nga muaji prill deri në dhjetor’. Ndërsa për ata tatimpagues fitimi i të cilëve gjatë vitit 2023 ka qenë mbi 14 milionë lekë të reja, do të tatohet me 23% por që është një numër i kufizuar tatimpaguesish”, pohon Çelmeta.
Ndërsa kundërshtimin të profesionistëve të lirë, që nuk duhet të merren në konsideratë fitimet e vjetshme për të llogaritur tatimin pasi ata nuk e kanë të garantuar të njëjtin aktivitet këtë vit, Çelmeta thotë se ky është një përcaktim ligjor.
“Ligji përcakton në mënyrë të qartë që për vitin 2024 do të vijohet me tatimet, që ishin të mëparshme, formularët, deklaratat dhe përgjegjësinë tatimore. Këto nuk do të jenë më të vlefshme pas vitit 2024”, pohon ajo.
Por a u janë njohur shpenzimet e zbritshme tatimpaguesve siç e parashikon ligji për tatimin mbi të ardhurat?
“Patjetër që shpenzimet e vitit 2023 janë njohur, çfarë tatimpaguesit kanë deklaruar në deklaratën vjetore, qoftë deklarata e tatimit të thjeshtuar, apo tatimit mbi fitimin, janë njohur për gjeneruar planin e parapagimit, për këstet e vitit 2024”, thekson Çelmeta.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, thekson se të gjithë profesionistët mund t’i drejtohen drejtorive rajonale për të kërkuar korrigjim të kësteve të tatimit mbi fitimin.
“Afati për të paguar këstet paraprake për periudhën prill, maj, qershor, është data 30 qershor por tatimpaguesit mund t’i paguajnë ato edhe mbi baza mujore. Aktualisht ka tatimpagues kryesisht persona fizik të cilët kanë vijuar të paguajnë këstet paraprake të tatimit, ato që janë gjeneruar në bazë të vetëdeklarimit të tyre”, thotë Çelmeta.
Në rast se këstet e parapaguara të tatimit mbi fitimin, janë më të larta se fitimet që do të realizojnë bizneset gjatë këtij viti, ato do t’i zbriten nga deklarata e vitit të ardhshëm, ose mund t’i kthehen biznesit nëse ç’regjistrohet si biznes./Shqiptarja