Pas një konkursi të hapur, të zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, është përzgjedhur logoja e 80-vjetorit të Çlirimit të atdheut. Logoja u miratua nga Komisioni Shtetëror për 80-vjetorin.

Prej ditës së sotme, të gjitha autoritetet publike të Republikës së Shqipërisë, duhet të përdorin shkresat zyrtare me logon e 80-vjetorit të Çlirimit. Modelet e reja të shkresave zyrtare janë miratuar me vendim të Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), dhe përveçse në Fletoren Zyrtare, mund të gjenden edhe në faqen arkiva.gov.al.

80-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë është miratuar si Vit Jubilar Mbarëkombëtar nga Këshilli i Ministrave. Ky vit shërben për të përkujtuar një përvjetor të rëndësishëm të përfundimit të betejës së shqiptarëve për çlirimin nga pushtimi nazi-fashist, si një përkujtesë e detyrës qytetare të çdo shtetasi shqiptar për të mbrojtur atdheun kur ai është në rrezik.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëri të ditur se të gjitha institucionet shtetërore janë të detyruara ta përçojnë këtë mesazh, përmes logos së miratuar, në çdo shkresë zyrtare, deri në fund të vitit 2024./ata