Kinema “Millennium” shfaqi mbrëmjen e djeshme premierë e filmit të restauruar “Gunat përmbi tela”.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Fondazione Gramsci di Puglia kanë restauruar filmin “Gunat përmbi tela” të regjisorit Muharrim Fejzo, prodhim i vitit 1977.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video nga filmi “Gunat përmbi tela”, i cili i është nënshtruar restaurimit digjital.
“Me një tjetër film të kinematografisë shqiptare që i është nënshtruar restaurimit digjital, “Gunat përmbi tela” i regjisorit Muharrem Fejzo, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, ndërsa publikon dhe linkun e filmit në Youtube.
Restaurimi digjital i këtij filmi dhe aktiviteti i premierës u financuan nga Fondazione Gramsci di Puglia dhe Regione Puglia në kuadër të projektit “Pulja në njëqindvjetorin e ardhjes së fashizmit”.
Filmi “Gunat përmbi tela” u restaurua nga elementet origjinalë negativë 35 mm të AQSHF-së, në laboratorin Dabimus srl të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Itali. Filmi mban emrat e një sërë artistësh nga më të njohurit e kinematografisë shqiptare si: Ilia Terpini në kamera, muzika nga Kujtim Laro, skenari nga Duro Mustafaj, piktor Azis Karalliu, kostumografia nga Alush Shima etj./ata