Kryeministri Edi Rama shprehu sot besimin se në një kohë të afërt Shqipëria do të ketë pagat më të mira në rajon për punonjësit e kualifikuar në turizëm.
Kryeministri u bëri thirrje gjithë të rinjve që punojnë jashtë në sektorin e turizmit që të kthehen për të punuar në Shqipëri.
“Të gjitha hotelet kanë vende të lira dhe kanë nevojë të madhe për punonjës të kualifikuar dhe ju që jeni punonjës të kualifikuar e punoni jashtë, mos e lini këtë boshllëk. Provoni të trokisni tek dyert e hoteleve të infrastrukturës turistike dhe të shihni që ka mundësi punësimi”, tha Rama.
Duke u ndalur tek investimet në turizëm, Kryeministri theksoi se këto investime masive kanë nevojë për njerëz të kualifikuar.
“Duke marrë parasysh se sa shumë investime janë në procese miratimesh nga kërkesat e sipërmarrjeve private në Tiranë, në vijën bregdetare dhe më gjerë kur vjen puna për agroturizmin apo hoteleri të nivelit të lartë, të gjitha ato investime masive kanë nevojë për njerëz të kualifikuar. Vit pas viti Shqipëria falë kësaj fuqie nga turizmi do të ketë kapacitetin të paguajë në industrinë e turizmit punonjës të kualifikuar pa asnjë ndryshim nga vendet e rajonit. Do të ketë pagat më të mira në rajon për punonjësit e kualifikuar në turizëm”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se deri në vitin 2030 fuqia e industrisë sonë turistike do të shumëfishohet dhe po ashtu edhe kapaciteti pagues i industrisë turistike për punonjësit e vetë./ata