v Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar – mars 2024 kapën vlerën 5.2 miliardë lekë, ose 1.68 % më shumë se në janar – mars 2023.

Sipas raportit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar – mars 2024, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 310 847, me një rritje prej 8.96 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.99 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.93 % dhe risigurimi me 0.076%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 42.30 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 57.70 % të totalit të tregut.

Ndërkohë, në periudhën janar – mars 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1.9 miliardë lekë, ose 23.88 % më shumë se në periudhën janar – mars 2023.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar – mars 2024 kapën vlerën 1.3 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 17.57 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ata