Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi sot se 10.1 milionë turistë, që prekën tokën shqiptare vitin e kaluar shijuan njëkohësisht një kulinari fantastike, ndërsa ushtruan edhe një presion të ofertës ushqimore, e cila tejkaloi me gati 1.5 herë vlerën e eksporteve për të cilën ne, me shumë sakrifica, kemi arritur në vitin 2023.

Në konferencën “Vera 2024, siguri, mikpritje, shërbime dhe infrastrukturë për pushuesit”, që u mbajt në Tiranë, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, si dhe aktorë të fushës, ministrja Denaj mori angazhimin për sigurimin e një oferte ushqimore cilësore.

“Referuar shifrave, ky vit do të jetë akoma edhe më i suksesshëm në raport me ofertën ushqimore, e cila së bashku me eksportet parashikon të arrijë një vlerë me 2 miliardë dollarë. Kjo na vë përpara disa sfidave të gjithëve: përpunuesit, prodhuesit, fermerët, por edhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila ka një detyrim, dhe punën për të cilën e ka nisur prej kohësh për të siguruar një ofertë ushqimore cilësore, të miretiketuar, konform ligjit, ashtu sikundër një transparence të rritur në raport me përbërësit e deklaruar”, u shpreh Denaj.

Në këtë kontekst, ministrja Denaj informoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Autoriteti Kombëtar për Veterinarinë dhe Mbrojtjen e Bimëve, por njëkohësisht edhe gjithë institucionet e tjera, janë udhëzuar prej kohësh për të qenë të angazhuar në terren para dhe gjatë gjithë sezonit veror turistik.

“Për ne garantimi i sigurisë ushqimore nuk nis sot, nuk nis në nisjen e sezonit turistik. Sigurisht, intensifikohet, por është një punë e vazhdueshme për gjatë gjithë vitit dhe kjo punë realizohet që në momentin e certifikimit të farave dhe fidanëve. Nga janari 2024 e deri tani janë certifikuar rreth 8 milionë fidanë perimorë, 190 800 fidanë frutorë, si dhe 367 kv farë e kultivarëve të ndryshëm. Vijon gjithashtu me regjistrimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve, për të pasur një pasqyrë të qartë të përdorimit të produkteve plehëruese dhe pesticideve dhe njëkohësisht për të realizuar gjurmueshmërinë e tyre”, deklaroi ministrja.

Shqipëria, tha ajo, ka realizuar vitet e fundit një situatë episodike të pastër në mbarë vendin.

“Dhe kjo jo gjithmonë është vetëm fat, është një punë e përkushtuar e strukturave. Sigurisht garantojmë që edhe këtë vit do të kemi një situatë të pastër, pasi njëkohësisht po kryejmë vaksinimin e të paktën 1.8 milionë krerëve të imëta kundër brucelozës, e ndërlidhur dhe e koordinuar edhe me gjurmimin, duke ulur në nivele minimale rrezikun për jetën e njerëzve”, u shpreh Denaj.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, vuri në dukje ministrja, ofron 1631 teste analitikë, të cilat janë të njohura në nivel evropian e më gjerë. “Sapo kemi kaluar me shumë sukses mirëmbajtjen e 1367 testeve ekzistuese dhe siguruam certifikatat e akreditimit për 264 teste që realizojmë me sukses në Shqipëri”, deklaroi Denaj.

Sigurisht, shtoi Denaj, që siguria ushqimore lidhet jo vetëm me ciklin nga fara, fidanët e deri në tryezë, por njëkohësisht edhe me një ndërgjegjësim, që mbështetet edhe me politikat fiskale.

“Më paketën fiskale të vitit të shkuar u mbështetëm në atë që quhet “luftë biologjike”. Me ndryshimet në ligjin “Për TVSH-në” u përjashtuan nga tatimi mbi vlerën e shtuar në import, jo vetëm kafshët e racës së pastër për riprodhim, por njëkohësisht bletët dhe insektet që zëvendësojnë pesticidet. Lufta biologjike është shumë e rëndësishme për t’u vendosur në prioritet për të gjithë fermerët dhe punonjësit”, tha Denaj.

Ministrja siguroi se do të vijohet me forcimin e hallkave të këtij zinxhiri, duke shtuar e forcuar kontrollet.

Por, ajo vuri theksin në faktin se është shumë e rëndësishme që të parandalohen situata, të cilat kontrollet i evidentojnë. “Andaj, flasim për një zinxhir të shëndetshëm nga fara, në tryezë.”

Ajo vlerësoi edhe rolin e fermerëve, blegtorëve, përpunuesve dhe prodhuesve, të cilët, u shpreh Denaj, me punën e tyre kanë dhënë një vlerë shumë të madhe të kulinarisë shqiptare, të produktit “Made in Albania” që po promovojmë nga Veriu në Jug në një “Strategji të Agroturizmit”, e cila, sipas saj, do të jetë jo vetëm e suksesshme, por do të ngrejë edhe më tej vlerat e produkteve shqiptare./ata