Kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ka hyrë në “Champions League” të konkurrencës në turizëm, ndërsa e vlerësoi këtë si një moment sa historik, po aq edhe një moment sfidash të gjithanshme.
Në aktivitetin e zhvilluar mbi sektorin e turizmit, Kryeministri u shpreh se “ka qenë e pamendueshme më përpara që ne të krahasoheshim me Greqinë, por sot ne jemi në këtë ligë të konkurrencës”.
Rama theksoi se një pjesë e të ardhurave nga turizmi ka influencuar në mënyrë shumë të ndjeshme pagat e industrisë së turizmit.
“Sot ne kemi një industri turizmi që është e gatshme të paguajë pa asnjë lloj dallimi me Greqinë, pjesën dërrmuese të të gjithë zinxhirit, me ndryshimin që nëse në Greqi një djalë apo vajzë duhet pastaj me atë pagë të paguajë qiranë, transportin etj., ata që punojnë në industrinë e turizmit në Shqipëri kanë shtëpinë e tyre afër dhe një nivel taksash e detyrimesh shumë më të vogël”, tha Rama.
“Tanimë po marr Greqinë, nuk e kam marrë më përpara, sepse është një vend shumë më i zhvilluar sesa ne në turizëm dhe ka qenë e pamendueshme më përpara që ne të krahasoheshim me Greqinë. Sot ne jemi në këtë ligë të konkurrencës. Sot ne kemi hyrë në ‘Champions League’ të konkurrencës në turizëm. Ky është sa një moment historik, aq edhe një moment sfidash të gjithanshme”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet të punojë që të mbetet në “Champions League” sa i takon turizmit.
“Italia, Franca, Greqia, Kroacia, Spanja, Sllovenia nuk bien nga ‘Champions League’. Nuk shkojnë në kupën UEFA apo jashtë kupave europiane. Ne nuk e kemi të konsoliduar pozicionin tonë, ndaj duhet ta konsolidojmë dhe të jemi çdo vit e më konkurrues”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te projektet që po zhvillohen në fushën e turizmit.
“Vetëm Lezha e Pjerinit ka dy “Pritzker Prize”, dy nobelistë të arkitekturës që po punojnë me projekte për turizmin. Alvaro Siza dhe Toyo Ito. E kjo është shumë domethënëse për të kuptuar se ku jemi duke shkuar dhe për të kuptuar se çfarë do të kemi ne në dispozicion pas disa vitesh kur këto projekte të marrin formë dhe se sa me dinjitet dhe me çfarë kapacitetesh ndryshe ne do të qëndrojnë në “Champion League” të turizmit Mesdhetar”, shtoi ai./ata