“Kur shkuam në Turqi ishte një katastrofë e vërtetë, mes godinash kishte njerëz që kërkonin shpresë dhe ishte dëshpëruese kur na shikonin në dritë të syrit sikur ne ishim shpëtimtarët e vetëm për ta”.

 

Kështu shprehet N/Togerja Aroxhena Mara, pjesë e ekipit shëndetësor të Forcave të Armatosura që mori pjesë në operacionet kërkim-shpëtimit në Turqi.

 

“Ekipi ynë i kërkim-shpëtimit  ka kryer një detyrë mjaft të vështirë në zonën e Malatias një nga zonat më të prekura. kemi bërë maksimumin e duhur për të ndihmuar ata njerëz që ishin në kushte mjaft të vështira”, tha Mara.

 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale rrëfimet e efektivëve të Forcave të Armatosura.

 

Rama theksoi se ata u përfshinë pa u lodhur në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit shkatërrues në Turqi.

 

N/Togere Hygerta Ilnica , pjesë e ekipit shëndetësor të Forcave të Armatosura tha se “për tërmetin mësuam që mëngjesin e të hënës nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medies dhe nuk kaloi shumë edhe u lajmëruam nga institucioni ku punojmë. që do të krijohet një grup gatishmërie për të dhënë ndihmë edhe nga ana shëndetësore, përveç asaj ushtarake.Duke qenë se kam jetuar prej 7 vitesh në Turqi pasi kam kryer studimet atje, e kam parë si një vend mikpritës, të bukur, të gjallëruar, plot jetë. Ajo që pamë ishte e kundërta , ndërtesa të rëna në tokë, njerëz që ishin ende në gjendje shoku dhe ishte një pamje drithëruese”.

 

Major Endrit Cengu, komandant i kompanisë së parë të kërkim-shpëtimit, theksoi se “sa mbërritëm në Turqi vazhduam me operacionin e kërkim -shpëtimit pa marrë detyrat nga organet kompetente pasi gjatë rrugës pamë njerëz që kishin nevojë për ndihmën tonë”.

 

“Menjëherë organizova skuadrat i ndava në tre grupe dhe operacioni ishte shpëtimi i një fëmije 5 vjeç gjallë dhe fatkeqësisht tre viktimave nga rrënojat. Morëm detyrë në një objekt 8-katësh që ishte kthyer në një 1 kat .Puna në këtë objekt ishte jashtëzakonisht shumë e vështirë”, tha Cengu.