Ministri i Financave Ervin Mete tha se, “taksimi për profesionistët e lirë, vendos më tepër drejtësi në sistem dhe ndershmëri”.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Mete theksoi se “në thelb ligji është taksimi i të ardhurave nga punësimi dhe qoftë me standard apo me parime, të ardhurat e një kategorie të caktuar pavarësisht nga forma juridike si i punësuar apo i vetëpunësuar duhet të kenë një tatim të ngjashëm”.

Ministri ndau disa shifra referuar 29 mijë të vetëpunësuarve që ofrojnë shërbime profesionale. Vjet kjo kategori ka raportuar të ardhura në nivelin 850 milionë euro dhe fitim 510 milionë euro. Ndërkohë që i gjithë fitimi i sektorit bankar ka qenë 280 milionë euro”, tha Mete.

Sipas tij, nuk mundet në sistemin që ne jetojmë qoftë për aspekt të drejtësisë së sistemit por edhe të kontributit që të kemi, fitime të tilla të taksohen me zero. Megjithatë taksimi i tyre ligjor është më i favorshëm se të vetëpunësuarit, sepse për të njëjtën të ardhur nga puna ne kemi që paguajnë 13- 23% në varësi të fashës dhe kemi këtë kategori që deri tani që hyn në fuqi ligji të mbeten me 0 % taksim.

“Ligji është punuar me FMN, ligji ka marrë praktikat më të mira dhe sjell standarde në sistemin tonë tatimor”, u shpreh ai.

Mete tha se, kjo kategori është më e avantazhuar pasi iu lejohet 30% zbritje e supozuar nga të ardhurat, pavarësisht nëse i kanë bërë apo jo ato shpenzime.

“Nga shifrat e vetëdeklaruara prej tyre nga 850 milionë euro të ardhura në 510 milionë euro fitim, ky grup prej 29 mijë individësh, do të thotë se shpenzimet e zbritura janë 40%. Pra i gjithë ky grup tatimpaguesish kanë të zbritur 40% të shpenzimeve. Tatimi që po aplikohet nuk është tatimi përfundimtar ai është një parapagim të cilin mund të shkojnë ta korrigjojnë në bazë të vetëdeklarimit dhe në fund të vitit, me deklarimet finale që do të bëjnë do të kalibrohet”, u shpreh Mete.

“Mbi këtë bazë të dhënash dhe duke shmangur abuzimet ky sistem vendos më tepër drejtësi dhe formalizim dhe iu jep atyre sistem të favorizuar”, u shpreh Mete.

Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që ushtrojnë profesionin në vend, sipas të dhënave zyrtare. Mes tyre ka kontabilistë, ekspertë kontabël, avokatë, juristë, agjentë të pasurive të paluajtshme, dentistë, mjekë etj.

Ata janë të regjistruar kryesisht si biznese të vogla dhe të vetëpunësuar, që kishin tatimfitimin zero. Nga 1 janari 2024, me hyrjen e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, profesionistët e lirë do të tatohen./ata