Pritshmëria optimiste për turizmin këtë vit duket se është materializuar që në muajt e parë të vitit.

 

Edhe pse janari nisi pak më zbehtë shifrat e shkurtit tregojnë për një panoramë më pozitive se e njëjta periudhë e një viti më parë.

 

Instituti i Statistikave në publikimin për strukturat akomoduese referon se ka një rritje të vizitorëve jo rezident në hotele.

 

Kështu sipas INSTAT numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 27,2%, në krahasim me Shkurt 2022. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e tjerë: numri i vizitorëve rezident është rritur me 5,0%;  numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 66,2%.

 

“Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 6,2%, në krahasim me Shkurt 2022. Treguesit e tjerë paraqiten si më poshtë: numri i netë qëndrimeve nga rezident ka rënë me 0,6%; numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 12,8%”, vlerëson INSTAT.

 

Vizitorë

 

Në një vlerësim më të detajuar sipas INSTAT gjatë muajit Shkurt 2023, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 27,2%, krahasuar me Shkurt 2022.

 

“Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 98,1%. Në Zonat Bregdetare ky tregues është rritur me 74,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritjen më të lartë me 66,3%”, thuhet në publikim.

 

Parë në këndvështrimin e rajoneve ku janë akomoduar dhe llojit të strukturës numri më i lartë i vizitorëve rezulton:  sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (55,8%);  sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (69,9%); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (97,3%).

 

Netë qëndrime

 

“Gjatë muajit Shkurt 2023, numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 6,2%, në krahasim me muajin Shkurt 2022. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë me 17,4%. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 24,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i netë qëndrimeve të vizitorëve jo-rezident të cilët janë akomoduar në “Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime afatshkurtra” ka shënuar rritjen më të lartë me 2,3 herë”, vlerëson INSTAT.

 

Në muajin Shkurt 2023, numri më i lartë i netë qëndrimeve është realizuar:

 

sipas rajoneve në “Rajonin Qendër“ (58,2%);

sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Jo-bregdetare” (59,6%);

sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (97,0%).

Norma neto e shfrytëzimit

 

“Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 9,0%, kundrejt 8,8% që ishte në muajin Shkurt 2022. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 7,6%, kundrejt 7,7% që ishte në muajin Shkurt 2022”, thuhet në publikim.