Praktikat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) mbi përgjegjësitë disiplinore dhe lirinë e të shprehurit të magjistratëve ishin në fokus të trajnimit të inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ky trajnim organizohet si pjesë e forcimit të kapaciteteve të inspektimit me mbështetjen e projektit EU4Justice.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani tha në fjalën e tij se “se rritja profesionale në vazhdimësi e trupës së inspektorëve dhe ndihmësinspektorëve mbetet përparësi konstante e ILD së”.

“Njohja me praktika juridike të GJEDNJ, përforcon procesin e inspektimit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në qasjen e respektimit të balancës mes interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqtarëve e prokurorëve”, nënvizoi Metani.

Gjyqtari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Darian Pavli trajtoi temën e përgjegjësisë disiplinore të magjistratëve, sa i takon garancive procedurale dhe themelore në kuadër të GJEDNJ.

Ndërsa Roberta Lugarà, avokate pranë regjistrit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, solli raste nga praktika e GJEDNJ mbi lirinë e të shprehurit të magjistratëve dhe kufizimin e saj./ata