Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në zbatim të masave shtesë të marra gjatë fundjavës, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

 

Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, brenda 24 orëve të fundit, janë arrestuar në flagrancë katër shtetas, njëri prej tyre që drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

 

Sipas policisë, shkon në 7 numri i drejtuesve të automjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan, që nga janari i këtij viti.

 

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasit: A. R., 31 vjeç, Y. A., 41 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, nën efektin e alkoolit; A. B., 18 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi dhe R. B., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, nën efektin e lëndëve narkotike.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.