Një 19-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga policia, pasi u kap me rreth 5 kg lëndë narkotike cannabis sativa në automjet.

 

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë vënë në pranga drejtuesin e automjetit, shtetasin L. Z., 19-vjeç, banues në Lezhë, falë operacionit policor të koduar “Destinacioni final”.

 

Gjatë kontrolleve të policisë është sekuestruar automjeti me të cilin transportohej lënda narkotike dhe celularë të të arrestuarit.

 

”Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat operacionale të DVP Lezhë, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike cannabis sativa, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Destinacioni final” në kuadër të të cilit u kap në qytetin e Lezhës dhe u arrestua shtetasi L. Z., 19-vjeç, banues në Lezhë.

 

Nga kontrolli i ushtruar në bagazhin e automjetit që drejtonte 19-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën një qese të mbushur me rreth 5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, sasi e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe me celularë të të arrestuarit”, tha policia.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.