Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve i ka gjetur sot fermerët e fushës së Maliqit duke punuar tokat. Ata janë në pikun e punës në bujqësi e në këtë mënyrë do të shfrytëzonin çdo ditë pavaresisht domethënies së saj.
Gazetarja Lorena Kodra raporton për Balkanweb se është ndalur në fshatin Vreshtas për të takuar fermerët që sot zgjodhën të punojnë.
Ajo që vihet re në fushë është dominanca e grave pasi jo më kot janë quajtur aktore të rëndësishme të prodhimit bujqësor dhe që përbëjnë më shumë se gjysmën e forcave të punës në këtë sektor.
Vjoleta,Blerina dhe Floria janë disa nga zonjat që patën mundësinë të shkëputeshin nga vrulli i punës për të treguar procesin e saj por edhe përditshmërinë e tyre në punët e fshatit.
Besnik Dervishi ëahtë fermeri që ka punësuar zonjat e fshatit Vreshtas. Ai thotë se puna në fshat nuk i lejon ata të zgjedhin nëse do të festojnë apo do të protestojnë sot.
Pavaresisht se për të me vlerë do të ishte që të protestonin për mungesën e mbështetjes së fermerit dhe ngritjes së çmimit të inputeve bujqësore.
Ndër të tjera ai shhprehet se fuqia punëtore e kualifikuar është larguar masivisht nga Shqipëria duke bërë që sot të ketë mungesë të theksuar të tyre.
1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe si e tillë pothuajse në të gjithë vendet e botës kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës./BalkanWeb