Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot, në ditën e ndarjes nga jeta, Pjetër Gjokën (1912-1982).

Pjetër Gjoka lindi në Ulqin, në një familje të varfër, e cila u detyrua të emigronte për shkak të gjakmarrjes, e megjithë vështirësitë ai arriti të bëhej një nga aktorët e regjisorët më të njohur të skenës dhe ekranit.

Aktivitetin në teatër, në lëvizjen amatore e filloi që vitet ’30 në Shkodër. Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”, por Pjetër Gjoka arriti të interpretonte mbi 90 role në këtë teatër, dhjetëra role kryesore nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe krejtësisht i verbër. Disa nga kryerolet e tij janë: Haritonov, Shpend Gjeta, Plaku, Mac Donald, Miler, Zabeliku, Klaudi, Mbreti Lir, Ali Pashë Gucia etj.

Në vitin 1961 ai është ndër katër aktorët që u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë, duke krijuar figura të arrira. Roli i fundit i tij në Teatrin Kombëtar ishte në dramën “Epoka para gjyqit”./ata