Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes Sociale ka si qëllim kryesor krijimin e një mjedisi fuqizues për çdo individ në nevojë, duke garantuar një jetesë dinjitoze përmes trajnimeve profesionale dhe riintegrimit në tregun e punës.

Kështu theksoi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale, ku solli shembullin e dy grave që merrnin ndihmë ekonomike, por tashmë janë të punësuara.

“Loreta dhe Lumturia nga qyteti i Korçës, janë shembull frymëzimi për të gjithë, pasi pavarësisht vështirësive në jetë asnjëherë nuk u ndalën. Dikur përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sot ato janë të punësuara dhe me të ardhura më të larta për familjet e tyre”, theksoi Koçiu.

Në videon e publikuar nga Koçiu, Loreta Rushani tha se “më përpara kam qenë me ndihmë ekonomike familja prej 4 veta Zyra e Punës më ndihmoi të filloja punë në një restorant në qytetin e Korçës. Jam shumë e kënaqur”.

Ndërsa Lumturi Goro tha se “bashkë me burrin ishim pa punë, me ndihmë ekonomike. Bashkia na ofroi punësim dhe jemi më të kënaqur”.

Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes Sociale ka si qëllim kryesor mundësimin dhe krijimin e një mjedisi fuqizues për çdo individ në nevojë, duke garantuar një jetesë dinjitoze. Në total MSHMS ka krijuar 120 mijë profile të individëve në moshë aktive pune, që janë pjesë e ndihmës ekonomike. Janë krijuar plane TIP, për mbështetje specifike, individuale të këtyre individëve, si dhe janë krijuar pothuajse 20 mijë skeda, profile nga Shërbimi Social Shtetëror. Rezultati i kësaj qasjeje është numri i punësimit që vjen në rritje./ata