Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se “është e papranueshme dhuna ndaj institucioneve dhe mbi të gjitha dhuna ndaj Policisë së Shtetit”.

I pyetur nga gazetarët, pas mbledhjes së qeverisë, për protestën e Rithemelimit të PD-së dhe Partisë së Lirisë përpara bashkisë së Tiranës dhe aktet e dhunës ndaj efektivëve të policisë, Balla theksoi se “ligji është shumë i qartë dhe dënon ashpër çdo akt dhune ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit”.

“Sa i përket dhunës gjatë protestave të një prej fraksioneve të opozitës pranë bashkisë Tiranë, e them shpesh e më duhet ta ripërsëris, është e papranueshme dhuna ndaj institucioneve, e mbi të gjitha, dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Ligji është shumë i qartë se çdo akt dhune ndaj institucioneve apo ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dënohet dhe dënohet ashpër”, deklaroi ministri.

Balla i kërkoi prokurorisë që “të gjitha rastet e referuara nga Policia e Shtetit të ndiqen me vëmendje dhe natyrshëm të japim një shembull të qartë të ndëshkimit të gjithkujt që guxon të mos respektojë ligjin. Mos harroni asnjëherë se dhuna ndaj një punonjësi policie është dhunë ndaj shtetit. Punonjësi i policisë është personifikimi i shtetit dhe kryen aty detyrën”.

Ministri i Brendshëm theksoi se, “fraksioni i opozitës duhet të kuptojë që koha kur sulmoheshin institucionet ka mbaruar. Ajo që na duhet është të kemi sa më shumë respektim të ligjit. Të jeni të sigurt që Policia e Shtetit do të vazhdojë të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin”./ata