Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ripërsëriti sot në Kuvend kërkesën për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, lidhur me emisionin e transmetuar nga RAI 3 për Shqipërinë.

“Interpelancat për kryeministrin as nuk ja komunikoni seancën. Kemi kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin për një ndërhyrje skandaloze tek mediet italiane. Ju e keni rrëzuar kërkesën dhe e kuptoj, sepse kryeministri ju ka dhënë urdhër ta mbroni. Arroganca juaj nuk mund t’i mbivendoset Kuvendit. Është Kuvendi që do të duhet të vendosë”, iu drejtua Bardhi, Kryetares së Kuvendit.

Në vijim, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi sqaroi se përse nuk është miratuar kërkesa e opozitës për interpelancë me kryeministrin lidhur me çështjen e transmetimit të emisionit në televizionin italian “Rai 3”.

Çuçi tha se kjo çështje është shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve ditën e hënë.

“Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u bënë të qarta arsyet përse ajo interpelancë nuk mund të bëhet, dhe aq më tepër në mënyrë urgjente. Nuk është çështje për interpelancë sipas përcaktimeve që bën rregullorja e Kuvendit. Këto sqarime janë bërë, ku edhe kreu i grupit parlamentar të PD ka pasur kohën për të dhënë shpjegime”, deklaroi Çuçi.

Duke u ndalur te pjesa e urgjencës me të cilën është kërkuar interpelanca, Çuçi evidentoi edhe faktin që as “Rai 3” vetë s’e ka me urgjencë transmetimin e pjesës së mbetur të emisionit./ata