Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, Brukseli po jep mesazhe shumë të qarta dhe pozitive.

“Ne gjendemi në një moment shumë pozitiv. Sinjalet që më vijnë nga Brukseli, janë që ne jemi shumë seriozë për plotësimin dhe përfundimin e procesit të zgjerimit sepse e shikojmë atë si plotësim të BE-së,sepse vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rrethuara nga shtetet anëtare. Sinjalet janë shumë të qarta. Shtetet anëtare e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje për begatinë, stabilitetin dhe të ardhmen e BE”, deklaroi Gonzato gjatë konferencës për shtyp me rastin e Javës Evropiane 2024.

Ambasadori përmendi se, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, e cila është edhe në thelb të punës së SPAK-ut, janë pjesë e kapitujve themelorë të BE, që janë kapituj që do të hapen të parët e do të mbyllen të fundit, në negociatat me BE-në.

“Është kyçe për Shqipërinë të eliminohet korrupsioni, sepse ky është parakusht për t’u bërë shtet anëtar në BE”, deklaroi ambasadori Gonzato.

Sipas tij, çështja e integrimit nuk po shihet si një dhuratë ndaj Shqipërisë, por si një gjë nga e cila përfitojnë të gjithë.

Megjithatë ai theksoi se procesi bazohet tek merita, tek puna që do të bëjë secili vend dhe se sinjalet për Shqipërinë janë pozitive.

Gjithashtu, ambasadori shprehu besimin që “mazhoranca dhe opozita të arrijnë mirëkuptim për të vijuar me reformën zgjedhore, për votën e emigrantëve. Partitë politike duhet të arrijnë konsensus”./ata