Me tkurrjen e popullsisë, numri i mjekëve për banorë erdhi në përmirësim vitet e fundit, por sërish Shqipëria renditet e fundit në Europë për këtë tregues, referuar të dhënave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Të dhënat për Shqipërinë, që i takojnë vitit 2020, tregojnë se, numri i mjekëve për 10 mijë banorë është 18.8 në vitin 2020, niveli më i ulët në rang europian dhe në rajon. Pas Shqipërisë, numrin më të ulët të mjekëve për banorë e ka Turqia me 20.4 doktorë për 10 mijë banorë dhe më pas Bosnja me 21 doktorë, e ndjekur nga Mali i Zi me 27.4 doktorë për 10 mijë banorë.

Në anën tjetër, Greqia kryeson listën për numrin e lartë të mjekëve për 10 mijë banorë. Në vitin 2020, ky vend kishte 63.1 doktorë për 20 mijë banorë e ndjekur nga Portugalia me 56,2 mjekë për 10 mijë banorë, Austria me 53.5 mjekë, Norvegjia me 50.9 mjekë për 10 mijë banorë.