Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, stafi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucionet në varësi, kanë dhuruar sot gjak në godinën e re të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë dhe të gjithë personave që kanë nevojë për gjak.

Ministrja Koçiu apeloi që të gjithë t’i bashkohen këtij akti njerëzor dhe solidar për të shpëtuar së më shumë jetë.

“Ne duhet të bëjmë fushatë sensibilizimi edhe të bëjmë akoma më shumë ndërgjegjësim për të gjthë njerëzit që procesi është një proces që kërkon vetëm pak kohë, nuk shkakton asnjë efekt anësor. Ti mund të vazhdosh rutinën tënde të ditës dhe t’i kthehesh normalitetit ndërkohë ke shpëtuar tre jetë njerëzish”, u shpreh ministrja Koçiu .

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është shndërruar në një operator ekselence i Shërbimit Publik Shëndetësor dhe me mjedise bashkëkohore në dhurimin, testimin, përpunimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e gjakut.

QKTGJ është mirëpajisur me teknologjinë më të fundit, ku ndër të tjera është realizuar digjitalizmi i plotë dhurues-pacient, automatizimi i mëtejshëm në testim dhe përpunim, centralizimi i mëtejshëm i shërbimeve me qëllim sigurimin e cilësisë maksimale të gjakut dhe garantimin e aksesit të barabartë ndaj gjakut të mjaftueshëm e cilësor në çdo skaj të vendit.

MSHMS dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë ndërgjegjësuese për vitin 2024 për rritjen e numrit të dhurimeve vullnetare të gjakut jo vetëm nga institucionet qendrore e vendore, por edhe nga vetë qytetarët.

Platforma online e dhurimit vullnetar të gjakut u jep mundësi të gjithë qytetarëve që përmes aplikimit në e-Albania, të rezervojnë ditën dhe orën e dhurimit./ata