Qeveria e Kosovës nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë 4 milionë euro për 20 sportistë të rinj të cilët do të zgjidhen nga një komision profesional, me synim sukseset në Lojërat Olimpike.

Në një konference e cila u mbajt me përfaqësues të institucioneve sportive dhe krerë të federatave në vend, u tha se synimi i këtij investimi është arritje tek sa më shumë suksese dhe medalje olimpike.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani tha se programi ka një afat prej 12 vitesh i ndarë në tre faza kryesore.

"Synim ka rezultatet e sportistëve në Lojërat Olimpike 'Los Angeles 2028', Lojërat Olimpike Mesdhetare 2030 të cilat do të zhvillohen në Kosovë dhe të cilat padyshim që caku i këtyre lojërave ka edhe një motiv shtesë më të madh për të gjitha federatat, sportistët në mënyrë që t'i sjellin vendit tonë sa më shumë rezultate si dhe Lojërat Olimpike 2032", theksoi Osmani.

Ajo tha se 4 milionë euro të ndarë nga Qeveria janë ndarë vetëm për afatin katërvjeçarë, deri në lojërat Olimpike "Los Angeles 2028". Përmes kësaj platforme, trajnerët, sportistët dhe përfaqësuesit e institucioneve sportive mund të shkëmbejnë ideja dhe përvoja për përmirësimin, trajnimin në performancën sportive.

Kampionja olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi tha se edhe ajo dikur ka qenë sportiste juniore pa përkrahjen e ndonjë autoriteti shtetëror, por ia ka dalë të korrë suksese me ndihmën e trajnerit të saj Driton Kuka.

"E kam përjetuar se si është të ushtrosh pa kushte ose në kushte jo të mira, pa përkrahje, sepse, të gjithë e dini se deri në vitin 2013, derisa unë jam bërë kampione botërore për të rritur, pothuajse çdo garë dhe përgatitje e ka paguar trajneri im Driton Kuka", tha Kelmendi.

Nëpërmjet një komisioni profesional i cili do të udhëhiqet nga trajneri i xhudos, Driton Kuka, do të bëhet përzgjedhja e 20 sportistëve nga tetë disiplina sportive me qëllim të arritjes së suksesit sportive në Lojërat Olimpike "Los Angeles 2028".

Secili nga 20 sportistët vendor nga 14 deri në 22-vjeç do të ketë një shumë prej 50 mijë euro atyre për një periudhë katërvjeçare si ndihmë dhe si investim tek talentët e rinj./aa