Shkencëtarët ishin në gjendje të krijonin një diamant në vetëm 150 minuta edhe pse dihet mirë se diamantet natyrore kërkojnë miliarda vjet, presione ekstreme dhe temperatura thellë nën tokë.
Metoda e re shkencore bazohet në një përzierje të metaleve të lëngëta dhe rezultati i procesit është krijimi i një diamanti artificial në pak minuta.
Diamante të tillë formohen në një temperaturë prej 1025 gradë Celsius, në një vlerë presioni prej një atmosfere, e cila është e barabartë me presionin që ndjejmë në nivelin e detit, shkruan Science Alert.
Ekipi që qëndron pas qasjes inovative, i udhëhequr nga studiues nga Instituti i Shkencave Bazë në Korenë e Jugut, është i bindur se procesi mund të përshpejtohet për të bërë një ndryshim të rëndësishëm në prodhimin e diamanteve sintetike.
Shndërrimi i karbonit në metal të lëngshëm që përdoret për të bërë diamant nuk është diçka e re, General Electric i përdori këto procese qysh gjysmë shekulli më parë duke përdorur sulfur hekuri të shkrirë.
Ulja e presionit u arrit duke përdorur një përzierje të zgjedhur me kujdes të metaleve të lëngëta: galium, hekur, nikel dhe silikon. Një sistem vakum u ndërtua brenda shtresës së grafitit që ngrohte shumë shpejt dhe më pas ftohte metalin ndërsa ishte i ekspozuar ndaj një kombinimi të metanit dhe hidrogjenit.
Këto kushte lejojnë që atomet e karbonit nga metani të përhapen në metalin e shkrirë, duke vepruar si fara për diamantët. Pas vetëm 15 minutash, fragmente të vogla kristalesh diamanti u ekstruduan nga metali i lëngshëm nën sipërfaqe, ndërsa dy orë e gjysmë ekspozim prodhoi një film të vazhdueshëm diamanti.
Procesi i përdorur aktualisht për të krijuar shumicën e diamantëve sintetikë zgjat disa ditë dhe kërkon presione shumë më të larta. Nëse optimizohet, kjo teknikë e re mund të përshpejtojë dhe lehtësojë ndjeshëm prodhimin e diamanteve sintetike./Syri.Net