ëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina reagoi sot pas interpelancës që pati ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në Kuvend.

Karabina u shpreh se, “ministrja Manastirliu nuk mund të fshihet pas gishtit për dështimin e arsimit shqiptar dhe të marrë si shembull Gjermaninë, sepse e pakrahasueshmja nuk mund të krahasohet”.

“Dështimi i arsimit në vend, që u pasqyrua më së miri nga përgjigjet e fundit të “Pisa-s”, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë shqiptare”, tha ajo.

Sipas saj, Ministria e Arsimit nuk ka pasur as vullnetin as vizionin e duhur për t’i adresuar problematikat siç do duhej të adresoheshin.

Karabina theksoi se, të vërtetën e shkollës shqiptare e prekin mësuesit, prindërit dhe nxënësit në përditshmërinë e tyre.

“Pasi vendi ynë u rendit i fundit në rajon, nuk ka pasur asnjë diskutim, asnjë tryezë debati, asnjë përgjegjësi, asnjë vullnet për të folur për problemin dhe se si do duhej të zgjidhej ai, duke dëgjuar dhe u ulur me ekspertët e fushës, por është vijuar të flitet për gjëra të mëdha, ndërkohë që dështimi ka ardhur pikërisht nga kjo qasje që përqendrohet te forma dhe jo te përmbajtja, te propaganda dhe jo te realiteti”, tha ajo.

Karabina nënvizoi se, arsimi në Shqipëri ka një mijë e një probleme.

Ndaj, shtoi ajo, Partia Demokratike zotohet për ta rikthyer arsimin në shinat e misionit dhe të normalitetit të tij.

“Pikë së pari, duke e shkëputur atë nga propaganda dhe duke dëgjuar ekspertët e fushës, sepse arsimi është një kambanë e madhe alarmi që nuk mund t’i përkasë vetëm një partie politike, por bëhet fjalë për të ardhmen e krejt shoqërisë sonë. Si e tillë, arsimi ngelet prioritet i rëndësishëm i PD-së dhe do të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet të trishtë, sepse vetëm kështu mund të kontribuojmë vërtet për një Shqipëri më të mirë për të gjithë”, përfundoi Karabina./ata