Komisioneri Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u shpreh se, “në BE ne synojmë të kemi një administratë publike të fortë, funksionale dhe të dedikuar, një administratë publike që operon me profesionalizëm dhe integritet, një administratë publike që ofron shërbime dhe jep llogari dhe ofron një platformë solide për zhvillimin e biznesit”.
Në mesazhin e përcjellë online në aktivitetin e organizuar sot në Tiranë, për energjizimin e administratës publike me qëllim rritjen e profesionalizimit e performancës duke fuqizuar mirëqeverisjen, rendin ligjor dhe antikorrupsionin, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Varhelyi tha se, “administrata publike duhet të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe profesionistët. Ne po bëjmë çmos për t’ju mbështetur ju dhe partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor që të gëzoni pikërisht këtë gjë”.
Sipas tij, modernizimi i administratës publike, është një pjesë e rëndësishme por sfiduese të negociatave tona në procesin e zgjerimit. “Kjo kërkon një punë të vazhdueshme, për këtë arsye kemi punuar së bashku me ju që nga fillimi për një reformë të administratës publike të dedikuar brenda kornizës së procesit të anëtarësimit”, tha Komisioneri.
“Ky ushtrim reformues është pjesë e grupkapitullit të Themeloreve i cili hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Për gjatë muajit të fundit, ne kemi shqyrtuar nga afër se ku qëndroni në procesin e shqyrtimit të thellë dhe intensiv analitik. Konkluzioni ynë është se Shqipëria ka arritur vërtet shumë tashmë në Reformën e Administratës Publike. Megjithatë është mirëkuptimi ynë i përbashkët se ka ende vend për përmirësime”, tha ai.
Ai solli në vëmendje se janë bërë përpjekje të konsiderueshme për digjitalizimin e shërbimeve publike, teksa theksoi se, “garantimi i aksesit të barabartë për të gjithë mbetet thelbësor”.
“Transparenca dhe kapaciteti për vlerësimin e ndikimit rregullator kanë pasur përmirësim. Kjo tashmë duhet të shtrihet në legjislacionin dytësor dhe mbikëqyrja parlamentare mbi qeverinë nevojitet të forcohet. Ekzistojnë dispozita në fuqi për rekrutimin dhe promovimin bazuar në meritë në ligjin për shërbimin civil. Këto duhet të zbatohen në vijimësi dhe sistemi i pagave ka nevojë për reformim. Nevojitet gjithashtu punë e mëtejshme për të përmirësuar menaxhimin e financave publike të agjencive, planifikimin e politikave dhe llogaridhënien”, u shpreh Varhelyi.
“Unë e mirëpres faktin që Shqipëria u angazhua për ti trajtuar këto çështje në Udhërrëfyesin gjithëpërfshirës që paraqiti në dhjetor. Shtetet anëtare të BE-së, janë duke shqyrtuar vlerësimin tonë. Shpresoj që të mund të vazhdojmë drejt hapit tjetër dhe të hapin negociatat për grupkapitullin e Themeloreve, sa më shpejt të jetë e mundur. Më lejoni ta mbyll duke e përgëzuar Administratën Publike shqiptare, për punën e shkëlqyer që ka bërë për gjatë gjithë procesit të shqyrtimit analitik. Është e rëndësishme që kjo ekspertizë dhe kompetencë të ruhet dhe zhvillohet më tej, në mënyrë që vendi të përfitojë plotësisht”, deklaroi ai./ata