Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, SPAK po vendos standardin e luftës kundër pandëshkueshmërisë.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend Spiropali iu drejtua deputetëve të opozitës duke thënë se, “edhe sot dëshmuat më qartë se kurrë sesa e ndarë është rruga jonë sa i takon drejtësisë”.
“Lundra juaj që po merr ujë sigurisht, ka humbur edhe orientimin. Paradite në revolucionin me orar tek bashkia e Tiranës, në rrugën “Murat Toptani”, ju i kërkoni SPAK-ut të arrestojë Veliajn. Në darkë tek rrugica e doktorit, në rrugën Mustafa Matohiti”, ju mallkoni SPAK-un, si organizatë kriminale”, tha Spiropali.
“Për të mos folur për gardistët e kuq që shoqërojnë Sali Berishën si të pandehur në dyert e SPAK-ut dhe bërtasin poshtë, poshtë SPAK-u dhe po të njëjtët gardistë të kuq që kur shkon të paraqiten aty funksionarë të tjerë apo kryetari i bashkisë, bërtasin me të madhe si në skenat e revolucionit kinez me pështyma, në “burg qëni””, theksoi Spiropali.
“Po çfarë standardi është ky? Kujt ia shisni ju këtë këtë standard në raport me drejtësinë që ngriheni këtu dhe na bëni ne moral për reformën në drejtësi, të cilën fillimisht e kemi votuar me 140 vota, por sigurisht ne me kokën lart, ju me kokën poshtë, të detyruar nga ata ju e dini shumë mirë, të cilët i mallkonit nga mëngjesi në darkë, ambasadoren e BE-së të asaj kohe dhe ambasadorin amerikan. Siç vijoni dhe sot të mallkoni, ose majë paraleleve ose majë penxhereve të gjithë ambasadorët e BE-së dhe amerikanët, se me ata e keni kryesisht problemin dhe krerët e institucioneve të pavarura të drejtësisë”, u shpreh Spiropali.
“Ky është standardi juaj? Kjo është koherenca juaj në raport me drejtësinë? Këtë i shisni ju shqiptarëve? Dhe keni një marrëdhënie kaq të ndërlikuar me të vërtetën sa nuk po mësoni t’i thoni ditës-ditë dhe natës-natë. E bëni sipas interesit tuaj. Armiqtë në litar, armiqtë në burg, shokët e partisë të lirohen menjëherë. Kujt ia drejtoni ju gishtin?”, tha Spiropali
“A kemi rënë dakord që duhet të kemi një sistem drejtësie ndryshe nga ai që kemi pasur 32 vjet, që nuk është i kapur për fyti nga politika dhe që dënon pandëshkueshmërinë dhe bën drejtësi. Patjetër bën drejtësi. Me standarde po, me proces të rregullt ligjor po, duke respektuar të drejtat kushtetuese dhe të njeriut, po për të gjithë njësoj. Nga ai që kapet me cigare hashash dhe mbyllet brenda pa afat dhe deri tek ai që ka qenë kryeministër e President e kryetar parlamenti ai tjetri që ulëret nga mëngjesi në darkë kundër drejtësisë, kundër SPAK-ut, kundër atyre që po japin shembuj ditë pas dite. Që sigurisht me të gjithë problematikat e një institucioni të ri po vendosin standardin e luftës kundër pandëshkueshmërisë”, theksoi Spiropali./ata