Menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas shprehu sot gatishmërinë e BB-së për të mbështetur Shqipërisë për Strategjinë e 3-të të Menaxhimit të Financave Publike.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të kësaj strategjie, Salinas tha se “nga ana e Bankës jemi të lumtur të mbështesim përpjekjet tuaja, por veçanërisht sa i përket Këshillit Fiskal, për forcimin e kuadrit të PPP-ve në menaxhimin e fondeve publike, reformat në sektorin publik dhe mbështetje e sistemit të informacionit të menaxhimit financiar”.

“Kemi diskutuar në lidhje me mbështetjen tonë lidhur me prokurimet e BE-së, që është një element i rëndësishëm për të sjellë pranë jush transparencën dhe llogaridhënien”.

 

“Objektivi kryesor i menaxhimit të financave publike është të përmirësojmë jetën e qytetarëve nëpërmjet menaxhimit më të mirë të financave publike. Prandaj është edhe në qendër të vëmendjes sonë në mënyrë që të gjithë në Shqipëri të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nëpërmjet përdorimit eficient të burimeve. E dyta, e bëjmë këtë gjithë duke ruajtur disiplinën fiskale nëpërmjet mbledhjes së menaxhimit të të ardhurave dhe të borxhit, ndaj mendoj se menaxhimi i fondeve publike ka një gjithëpërfshirje të të gjithëve në vend.

Ndaj teksa shikojmë strategjinë, e përgëzojmë përpjekjet e MFE-së dhe BE-së për hartimin e kësaj strategjie mendoj se ka katër elementë kritikë. E para, është prioritizimi dhe kjo është e rëndësishme, sepse gjithmonë do të ketë nevojë për më shumë burime ndaj dhe duhet të ketë një mënyrë shumë sistematike për t’i dhënë prioritet financave publike”, tha Salinas.

E dyta, vijoi Salinas, është eficienca në përdorimin e burimeve, vlera e parave në momentin që investohen financat publike e gjithë kjo duhet të merret në konsideratë si duhet.

“E treta, është transparenca dhe llogaridhënia, dhe mendoj se të gjithë jemi përgjegjës për këtë strategji dhe përfituesit e kësaj strategjie dhe besoj se mundësia për korrupsion të eliminohet sa më shumë të jetë e mundur. E katërta, është fleksibiliteti. Ajo që kemi parë në Shqipëri në vitet e fundit është që ka pasur shok, dhe kur ka momente shoku ka nevojë për rialokimin e financave publike”, tha Salinas./OraNews