Fëmijët e kopshtit Bizë në njësinë administrative Ishëm në Durrës do të kenë së shpejti një kopsht me standarde bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky kopsht ndërtimi i të cilit është drejt përfundimit.
“Edhe një tjetër kopsht i rilindur në Durrës, në fshatin Bizë të njësisë administrative Ishëm, ndërtimi i të cilit është drejt fundit për të mirëpritur dhjetëra fëmijë të zonës që do të edukohen e argëtohen në ambiente me standarde bashkëkohore”, u shpreh Rama.
Kopshti i Bizës po ndërtohet në kuadër të programit “EU4Schools”, me financimin e Bashkimit Europian.
Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me një vlerë prej 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP Albania në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Projekti synon rindërtimin ose riparimin e mbi 60 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, me përfitues të drejtpërdrejtë 25000 nxënës, mësues dhe fëmijë.
Deri sot në kuadër të këtij programi kanë përfunduar 52 objekte arsimore, ndërsa 10 objekte të tjera janë në proces rindërtimi apo riparimi./ata