Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot se mazhoranca synon të zhbëjë strukturën institucionale të SPAK-ut për ta kontrolluar atë politikisht.
Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se qeveria synon demoralizimin, ngadalësimin dhe intimidimin e çdo rezultati dhe vetë institucioneve të SPAK-ut, BKH-së dhe GJKKO-së.
“Autori i amnistisë të korruptuarve të dënuar nga SPAK, Ulsi Manja, shkon dhe u jep leksion prokurorëve të SPAK-ut se si duhet të luftojmë korrupsionin. Duhet të hapim sytë sepse ndodhemi përpara një komploti për të kufizuar hapësirën e veprimit të SPAK-ut, për të goditur punën e tyre dhe për të frenuar atë që shqiptarët presin, dhënien fund të pandëshkueshmërisë dhe luftë të vërtetë kundër korrupsionit. Për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe jo për të mbrojtur çdo zyrtar që ka abuzuar me paratë dhe pasuritë publike”, tha Basha.
Basha theksoi se amnistia penale pas një sërë aktesh të tjera, është akti më i rëndë i kësaj qeverie, është atentat kundër Reformës në Drejtësi.
“Partia Demokratike është distancuar nga ky vendim i turpshëm, e ka denoncuar atë, i ka paralajmëruar deputetët të mos votojnë. Bënë bashkë votat për të amnistuar të dënuarit për korrupsion, ndërkohë që nga amnistia nuk përfitojnë protestuesit kundër korrupsionit”, tha Basha.
Po ashtu, kreu i PD-së theksoi se një sërë aktesh të opozitës po mbahen peng nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe nuk futen në kalendarin e punimeve të Parlamentit.
“Mes tyre mbahet peng prej datës 22 janar edhe propozimi për rialokimin e 50 milionë eurove ndihmë ushtarake për Republikën e Kosovës”, tha ai./ata