Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pak para nisjes së seancës plenare në Kuvend i është përgjigjur komenteve të Gazment Bardhit.

 

Në një dalje për media, Basha tha se detyrën që ia delegoi statuti i PD-së, ai i kreut të grupit parlamentar, do ta delegojë te një nga nënkryetarët e partisë.

 

Ai thekson se asnjë debat artificial apo i natyrshëm me njëri-tjetrin nuk ndihmon, teksa thekson se kauza e PD është për qytetarët.

 

Basha tha se deputetët e PD nuk duhet të merren me njëri-tjetrin, por t’u shërbejnë qytetarëve.

 

“Një gjë është e sigurt, PD nuk do lëvizë nga kursi i saj properëndimor. Asnjë debat artificial dhe i natyrshëm me njëri-tjetrin nuk ndihmon me kauzën tonë. Ne nuk jemi në këtë sallë të merremi me njëri-tjetrin. Duhet t’u shërbejmë njerëzve.

 

Me hyrjen në fuqi të statutit të PD, janë marrë vendimet përkatëse. Për të shuar kureshtjen tuaj dhe të qytetarëve, dua ta deklaroj që si kryetar i PD  ngarkuar nga Statuti edhe me detyrën e kryetarit të grupit parlamentar, kam ndërmend ta delegoj këtë detyrë tek një nga nënkryetarët e zgjedhur.

 

Pas një kohe shumë të vështirë, thirrja për çdo deputet është që tani është momenti të shikojmë përtej interesave personale, në fund të fundit janë shprehur mbi 4000 delegatë të PD dhe ata janë një fuqi reale në mbështetje të çdo veprimi të PD. Kjo është mbështetja në të cilën mund të mbështeten të gjithë deputetë e PD, të gjithë pa përjashtim”, tha Basha.