Ndërsa shijon pushimet e saj në Kaliforni, Chiara Ferragni duhet të përballet me fundin e një bashkëpunimi të rëndësishëm profesional: marka e njohur e produkteve të flokëve Pantene duket se ka vendosur të mos e rinovojë kontratën me të, duke zgjedhur një imazh të ri në vend të influenceres së famshme italiane. Lajmi përflitej prej disa kohësh, pas zhurmës së shkaktuar nga skandali i pandoros Balocco dhe anulimit të disa përmbajtjeve të sponsorizuara nga Pantene, por tashmë kompania ka zyrtarizuar ndryshimin e imazhit duke zgjedhur modelen izraelite Havi Mond. Pamjet u publikuan në rrjetet sociale nga Selvaggia Lucarelli dhe bënë menjëherë xhiron e internetit.

Havi Mond, 40 vjeç, ka një karrierë të gjatë në botën e modës, pasi ka punuar për marka të tilla si Calvin Klein, Ralph Lauren, Chanel, Yves Saint Laurent dhe French Connection.

Pantene, kompania e radhës që ndërpret kontratën me Chiara

Bukuria e saj dhe stili i rafinuar e bënë atë zgjedhjen ideale për Pantene, e cila ishte në kërkim të një imazhi të aftë për të përfaqësuar idealin e një gruaje moderne dhe me vetëbesim. Zgjedhja e Pantene ngjalli reagime të ndryshme në rrjetet sociale: shumë komentuan ngjashmërinë mes Havi Mond dhe Chiara Ferragni-t, duke bërë shaka me faktin se marka zgjodhi “një kopje më të lirë dhe “më pak problematike”.

Pantene është e fundit në një listë të gjatë kompanish që prej vitesh kanë lidhur emrin e tyre me atë të Ferragni-t dhe tani janë tërhequr. I pari ishte Safil, më pas, Coca-Cola njoftoi se do të ndalonte përdorimin e imazheve të regjistruara në dhjetor, përpara se të shpërthente kaosi mediatik, për një reklamë që duhej të ishte transmetuar ditët e fundit pranë Sanremos. Ndryshe nga Safilo, Coca-Cola ka mbajtur një qëndrim më të butë dhe më të relaksuar, duke rezervuar potencialisht të drejtën për t’i përdorur ato imazhe në të ardhmen.

Por rasti i kompanisë zvicerane të kozmetikës Pantene është ndryshe, pasi pa u distancuar publikisht nga influencuesja, të paktën ende jo, ftoi dyqanet që përdornin posterat me fytyrën e Ferragnit të ndërhynin për t’i hequr, siç bëri të ditur Selvaggia Lucarelli. Bashkëpunimi mes Pantene dhe Ferragnit ka zgjatur prej disa vitesh dhe ndërprerja ishte e papritur./BalkanWeb