Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se Kodi i ri Penal është i nevojshëm, por duhet t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik.
Në një prononcim për medie, Manja u shpreh se drafti që është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë reflekton 61 direktiva të BE-së.
“Që duhet një Kod i ri Penal, këtë nuk e them unë. Ne jemi në procesin e negociatave të integrimit në BE dhe është kërkesë e Brukselit që Shqipëria duhet të ketë një Kod të ri Penal që t’i përgjigjet dinamikave të zhvillimit të shoqërisë dhe teknologjisë. Aktualisht kemi një Kod Penal të miratuar në vitin 1995, ndërsa Kushtetuta u miratua në vitin 1998″, shtoi ai.
Manja theksoi se në Kodin Penal aktual, për shkak të zhvillimit ekonomik dhe të teknologjisë është ndërhyrë 33 herë.
“E kemi bërë Kodin Penal arna-arna, ndaj Brukseli, por edhe koha kërkon që të kemi një Kod të ri Penal. Ka një draft, një produkt të një grupi pune që është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, por që do duhet t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë publik. Miratimi i Kodit Penal kërkon shumicë të cilësuar dhe unë personalisht dua që ky Kod, ky draft, të marrë të gjithë kohën e duhur për t’iu nënshtruar një konsultimi të gjerë publik, sepse do të jetë një Kod Penal që do t’i rezistojë kohës për 20-30 vitet në vijim me të cilin do të përafrohemi me BE-në. Reflektohen në atë draftpune 61 direktiva të BE-së në fushën penale. Në momentin dhe kohën e duhur do ta hedhim në konsultim”, tha Manja./ata