Instituti “Yunus Emre” në Tiranë dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, universitet publik, kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi.

Protokolli është nënshkruar në ambientet e rektoratit të universitetit, nga drejtori i Institutit “Yunus Emre” për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, dhe rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, ndërkohë i pranishëm ishte edhe këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut.

Në një deklaratë për Anadolu, Demirbaş theksoi se Instituti "Yunus Emre" do të fillojë mësimin e turqishtes në shumë vende të botës, në kuadër të projektit “Zgjedhja ime është turqishtja”.

“Ne do të ofrojmë mësimin e turqishtes si institut. Ne jemi këtu (Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’) për këto qëllime”, u shpreh Demirbaş.

Në deklaratën e saj për Anadolu, Sotirofski tha se bashkëpunimi me institutin do të vazhdojë dhe më fort me firmosjen e kësaj marrëveshjeje.

"Synojmë që ne të fillojmë kurset e gjuhës turke për studentët dhe stafin akademik të interesuar për të mësuar gjuhën turke si gjuhë të dytë. Gjithashtu ne synojmë të vijojmë bashkëpunimin me universitetet në Türkiye", u shpreh Sotirofski.

Sipas protokollit, palët shprehin vullnetin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërkohë ka si qëllim promovimin e Türkiyes, të trashëgimisë kulturore të Türkiyes, gjuhës, kulturës dhe artit turk, si dhe realizmin e projekteve të përbashkëta mes institutit dhe universitetit.

Në kuadër të protokollit, instituti synon të emërojë mësimdhënës të turqishtes me qëllim mësimin e turqishtes si gjuhë e huaj me zgjedhje në programet e universitetit./aa