Roli i grave këshilltare është thelbësor në identifikimin dhe adresimin e problematikave gjinore.

Deputetja e PS, Milva Ekonomi mori pjesë në takimin e organizuar nga Projekti Bashki të Forta dhe Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje me Aleancën e Grave Këshilltare të Këshillave Bashkiake dhe Aleancën e Grave Deputete të qarqeve Tiranë, Durrës dhe Dibër dhe deputete, organizuar për përzgjedhjen e strukturave drejtuese të Aleancës së Grave Këshilltare Bashkiake në Shqipëri.

Ekonomi në fjalën e saj u ndal në mënyrë të veçantë te komunikimi i vazhdueshëm me stafin e bashkive përkatëse për të gjetur zgjidhje për problemet që shqetësojnë komunitetin dhe veçanërisht gratë.

Ekonomi theksoi se, është thelbësore mbështetja ndaj njëra-tjetrës dhe ftoi gratë këshilltare të ndërmarrin iniciativa sado të vogla për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave në njësitë e tyre, duke i dhënë një fokus të veçantë grave që kanë nevojë për shërbime sociale.

Ekonomi sugjeroi se, çdo iniciativë vendore që adreson dhunën me bazë gjinore, përfshirë atë psikologjike dhe kibernetike ka nevojën të koordinohet midis të gjithë aktorëve./ata