Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka vlerësuar punën e përbashkët të autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për goditjen e një grupi kriminal që trafikonte drogëra të ndryshme nga Shqipëria në Itali.

 

Çuçi shkruan në postimin e tij se hetimi është kryer me profesionalizëm nga skuadra e përbashkët mes Shqipërisë dhe Italisë.

 

Ministri i Brendshëm thotë se Policia e Shtetit ka fituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë në vendosmërinë për të goditur krimin.

 

“Finalizimi i operacionit për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve që çoi në arrestimin dhe procedimin e dhjetëra personave brenda e jashtë vendit, është një tjetër sukses i punës së Skuadrave të Përbashkëta Hetimore Shqipëri-Itali. Një punë e kryer mirë e me profesionalizëm të lartë në çdo hallkë. Vetëm në dy vitet e fundit policitë tona janë përfshirë në 52 Skuadra të Përbashkëta Hetimore, një numër rekord po ta krahasojmë me vendet e tjera europiane. Kjo dëshmon besimin e lartë që ka sot Policia e Shtetit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe vendosmërinë tonë për të goditur krimin. Përgëzime për Policinë e Shtetit, veçanërisht për efektivët që morën pjesë në këtë operacion, SPAK, Policinë dhe Prokurorinë italiane”, shkruan ministri Bledi Çuçi.

 

Një hetim i nisur në vitin 2019 nga autoritetet shqiptare dhe italiane për një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, çoi në nxjerrjen e 62 urdhër-arresteve në dy shtete.