Kryeministri Edi Rama deklaroi se, sot ka pakëz dritë në tunelin e kërkimit të drejtësisë për 21 janarin
Në fjalën e tij të mbajtur në Kryeministri në përvjetorin e 21 Janarit, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e 4 viktimave të 21 Janarit 2011, Rama u shpreh se, “shumë të dashur familjarë të Dëshmorëve të Atdheut që humbën jetën padrejtësisht në 21 janar, pas plot 13 vitesh nga 21 janari tragjik, sot ky përkujtim që na mbledh përsëri si çdo vit në këtë familje të ngushtë ka pakëz më shumë sesa thjesht shpresë në errësirën e plotë të tunelit të kërkimit të drejtësisë, gjatë gjithë këtyre viteve”.
Prandaj, theksoi kryeministri, “sot, ndryshe nga herët e tjera, ne jemi së bashku, jo vetëm për të përkujtuar, por edhe për t’i thënë këto fjalë sepse ka më në fund, përveç sesa thjesht shpresë, pakëz dritë në rrugën e gjatë të këtij tuneli”.
“Fjalët e shpresës tonë sot nuk dalin vetëm nga dëshira e paepur për të mos iu dorëzuar errësirës mbytëse të sistemit të vjetër të drejtësisë, por edhe nga shenjat reale të zgjimit të drejtësisë, edhe për 21 janarin”, tha Rama./ata