Pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare u prezantua nisja e programit të trajnimit me fokus “Tregjet e Kapitalit”, të ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në takimin e mbajtur në Tiranë ishin të pranishme Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, Mimoza Kaçi dhe nga Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, Mimoza Kaçi theksoi rëndësinë e rritjes së mëtejshme të kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit dhe u shpreh se ky program trajnimi zhvillohet në momentin e duhur, pasi Këshilli i Ministrave vitin e kaluar miratoi dokumentin e politikave për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
Këto tregje janë shtyllë e rëndësishme e sistemit financiar, që ndihmojnë në kanalizimin e kursimeve drejt investimeve produktive.
Në këtë program një vjeçar do të trajnohen rreth 25 punonjës të Autoritetit, pjesë e stafit të mbikëqyrjes së tregjeve.
Programi përbëhet nga 11 module trajnimi, të cilat përfshijnë një sërë tematikash, që nga metodat për administrimin e rrezikut, llojet e instrumenteve financiare, format e investimit, deri në module mbi risitë teknologjike në fushën e shërbimeve financiare si Blockchain, Fintech apo edhe financat e gjelbra dhe faktorët ESG në investime.
Kaçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që BERZH i jep Autoritetit, si dhe bindjen për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mbështetje të zhvillimit dhe modernizimit të tregjeve financiare./ata