1 shtetas është proceduar penalisht dhe po punohet për kapjen e 1 tjetri, pasi po ndërtonin pa leje, 5 objekte që do të përdoreshin për turizëm në Theth.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, si rezultat i kontrolleve që po kryhen 24/7, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat turistike dhe në ato urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Postës së Policisë Theth, të mbështetura te informacionet e inteligjencës policore, evidentuan 2 raste të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. H., 74 vjeç banues në fshatin Theth, dhe u shpall në kërkim shtetasi S. M., 25 vjeç, banues në Tiranë.
Në Theth, 74-vjeçari, kryente punime për ndërtimin e 2 objekteve prej druri, ndërsa 25-vjeçari, kryente punime për ndërtimin e 3 objekteve. 5 objektet do të përdoreshin për qëllime turistike.
Kontrollet dhe verifikimet për të parandaluar, konstatuar dhe goditur paligjshmëritë në fushën e ndërtimeve, vijojnë 24/7, në të gjithë territorin e qarkut.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./ata