Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës 3 të PD-së në Tiranë.

Në fjalën e tij Basha foli për amnistinë penale duke theksuar se PD kishte 2 qëndrime.

“Ne dolëm në radhë të parë para demokratëve, pastaj para qytetarëve dhe ju thamë: po është një proces normal humanitar. Partia Demokratike e mbështet. Ka dy qëndrime, qëndrimi parë nuk mund të përfitojnë njerëzit të cilët janë të dënuar nga GJKKO, për arsyen e thjesht se këta njerëz kanë vjedhur nga xhepat e shqiptarëve, kanë shkelur mbi mundin e tyre, janë tallur me djersën dhe gjakun e tyre. Sepse duke i liruar këta që u arrestuan u gjykuan, u dënuan si rezultat i reformës në drejtësi, lëshohet një mesazh i qartë: ju i dënoni ne i lirojmë. Që është një shuplakë jo vetëm në fytyrën e drejtësisë, por është një grusht në barkun e zbrazur të miliona shqiptarëve, të mijëra e mijëra shqiptarëve që kanë zbritur nivelin e tyre të jetesës, pikërisht prej korrupsionit të këtyre zyrtarëve”, u shpreh Basha.

Dhe qëndrimi i dytë, tha ai, të përfitojnë nga amnistia të gjithë protestuesit e Partisë Demokratike, të gjithë protestuesit e opozitës dhe qytetarëve të tjerë të cilët janë ngritur kundër korrupsionit dhe kanë një vit, dy vite, tre vite e më shumë që vërtiten dyerve të gjykatave, sepse patën guximin të protestonin kundër korrupsionit. Këto ishin dy qëndrimet tona.

“E zvarritën amnistinë derisa një ditë të bukur thanë ejani të bëjmë amnistinë, sepse brenda kishin futur atë që në gjuhën popullore quhet “mishi i dhisë”. Amnisti me mish dhie do të thotë amnisti për të korruptuarit dhe jo për protestuesit kundër korrupsionit. Këtë bënë. Por nuk e bënin dot pa disa vota nga ata që ulen në atë karrige me votat e opozitës. Me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve”, theksoi Basha.

Sa i përket reformës zgjedhore, Basha tha se, ka më shumë se dy muaj që komisioni i reformës zgjedhore u asgjësua.

“Për të ndërtuar së bashku një rrugë përmes së cilës ta zgjojmë Shqipërinë nga ky ankth e t’i japim drejtimin e merituar drejt përparimit, drejt zhvillimit, drejt mirëqenies për çdo shqiptar, për këtë arsye kemi propozuar reformën zgjedhore me katë kolona të cilat i shërbejnë çdo shqiptari. Të cilat siç e dini fare mirë, po të dalim jashtë i përqafon çdo qytetar pavarësisht prej bindjeve politike. Për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik, për Shqipërinë një zonë që garanton barazinë e votës dhe për votën e diasporës. Ky është një rast tjetër ku duket qartë se kush e bën betejën për shqiptarët dhe kush e bën këtë betejë për demokratët dhe kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës. E prishën komisionin e reformës zgjedhore se do të ndërtonin një tjetër celulë 3 plus 3. Ka më shumë se dy muaj që komisioni i reformës zgjedhore u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë, por që në fakt janë rimorkio e Edi Ramës”, u shpreh Basha./ata