Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se shtrirja kapilare e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe ngritja e sistemeve inovative të ankesave janë shembulli më domethënës i vullnetit për të luftuar korrupsionin.
Kryeministri theksoi se përgjatë gjithë spektrit të shërbimeve publike, si për qytetarët dhe për bizneset është bërë një revolucion i vërtetë në ofrimin e shërbimeve dhe fuqia e korrupsionit ka rënë në mënyrë shumë domethënëse.
“Sot, 95% e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset kryhen nga celulari apo kompjuteri, që do të thotë konkretisht, vitin e kaluar shteti ka dhënë 13,2 milionë shërbime përmes portalit e-Albania. E thënë ndryshe, janë shmangur 13,2 milionë ecejake, qëndrime në radhë, kontakte fizike me punonjësit e shtetit të cilat deri dje ishin kontakte infektive me virusin e korrupsionit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “dokumentet për qytetarin dhe biznesin aplikues sot i gjeneron vetë baza elektronike e të dhënave shtetërore ku 61 sisteme për 68% të fushave të shërbimeve e bëjnë vetë të gjithë mbledhjen e dokumenteve që deri dje qytetarët dhe bizneset duhet ta bënin duke bredhur dhe duke paguar”.
“32 sisteme të tjera janë në fazën e përfundimit dhe të futjes në veprim. Vitin e shkuar janë regjistruar 271 milionë veprime të bazës së dhënave për llogari të qytetarëve dhe bizneseve që përndryshe do të ishin 271 milionë dhimbje koke, siç ishin deri dje”, shtoi ai.
Rama theksoi se së shpejti, asistenti virtual i e-Albania që ka hyrë në veprim falë inteligjencës artificiale do të futet në punë në versionin e ri me zë dhe me figurë dhe do t’i kryejë ai të gjitha ato procese që sot aplikuesi i bën vetë.
“Shqipëria është cilësuar nga OECD, SIGMA dhe Komisioni Europian si një ndër shtetet në vijën e parë për plotësimin e standardeve të qeverisjes elektronike dhe parandalimin e korrupsionit dhe uljen e informalitetit përmes shërbimeve publike digjitale. Atëherë, çfarë mund të vihet në diskutim këtu për këtë progres domethënës? Patjetër që nuk mjafton por që është dita me natën me ku ishim dhe që në këtë drejtim e kemi sprapsur në mënyrë të konsiderueshme korrupsionin e kudondodhur, këtë balta politike dhe ujerat e zeza mediatike mund ta mbulojnë sa shosha diellin”, tha Rama.
Rama theksoi se “pa përfunduar dhe mbyllur të gjithë ciklin e Kadastrës në celular dhe kompjuterin personal, këtij progresi i mungon arritja më e madhe”. “Ky është vetëm një shembull që kur them kemi ende shumë për të bërë nuk bëj retorikë, por di dhe çfarë pikërisht duhet të bëjmë akoma për Shqipërinë e 2030”, shtoi ai./ata