Së bashku me Shqipërinë, e cila është një vend mik aleat në NATO, por edhe një vend që së shpejti do të jetë në Bashkimin Evropian, synojmë të bëjmë një betejë të përbashkët kundër trafikimit të qenieve njerëzore, deklaroi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, në Pallagorio, në provincën e Crotones, në kuadër të manifestimit për kremtimin e 100-vjetorit të vdekjes së Anselmo Lorecchios*, ku mori pjesë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
”Është një projekt shumë i rëndësishëm”, theksoi Tajani në përgjigje të një pyetjeje mbi marrëveshjen që parashikon krijimin e qendrave për migrantët në Shqipëri, ”të cilat do të shërbejnë për veprim të përbashkët kundër trafikantëve të qenieve njerëzore”.
”Ne duam të presim migrantë të rregullt në Itali. Ekziston dekreti i fluksit që parashikon rreth gjysmë milioni emigrantë të rregullt, por ne duhet të luftojmë trafikantët e qenieve njerëzore që shfrytëzojnë njerëzit duke thënë se në Evropë ata do të gjejnë parajsën në Tokë, kur në të vërtetë nuk është kështu”, shtoi Tajani.
”Ne synojmë të luftojmë në këtë betejë të përbashkët sepse trafikantët e qenieve njerëzore, trafikantët e drogës, trafikantët e armëve dhe ata që trafikonin edhe cigare janë gjithmonë të njëjtët”, shtoi ai.
”Organizatat kriminale duhen luftuar dhe mposhtur me bashkëpunim ndërkombëtar. Bashkëpunimi Shqipëri-Itali shkon pikërisht në këtë drejtim”, deklaroi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani./ a.jor.
(*Anselmo Lorecchio ishte një avokat, gazetar, politikan, poet dhe shkrimtar italian me origjinë shqiptare, themelues i gazetës ”La Nazione Albanese” dhe autor i disa veprave letrare për pavarësinë e Shqipërisë – shën. i përkth.)/ata